Stoltenberg: NATO, e përkushtuar që Ukraina të triumfojë

Stoltenberg: NATO, e përkushtuar që Ukraina të triumfojë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleatët e aleancës janë të përkushtuar që të bëjnë më shumë për t’u siguruar që Ukraina “të triumfojë” në betejën e saj për t’i zmbrapsur forcat pushtuese ruse, me aleancën që ka “ndryshuar ndjeshëm” qëndrimin e saj, duke i ofruar armë më të avancuara Kievit.

Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë në përvjetorin e dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, shefi i NATO-s tha se solidariteti me Ukrainën nuk është vetëm korrekt, por po ashtu “është në interes të sigurisë sonë”.

“Ne mund të presim që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë për t’u siguruar që Ukraina të triumfojë, sepse kjo është thënë shumë qartë nga aleatët e NATO-s”, tha Stoltenberg.

“Gjithmonë e kam theksuar se kjo nuk është bamirësi. Ky është investim për sigurinë tonë dhe mbështetja jonë bën dallimin në fushëbetejë çdo ditë”, shtoi ai.

Ukraina ka shumë nevojë për ndihmë financiare dhe ushtarake në mes të sinjaleve për lodhje politike në Perëndim, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës shënon përvjetorin e dytë të nisjes më 24 shkurt.

Në një pjesë të kësaj interviste, të publikuar më herët gjatë javës, Stoltenberg tha se vdekja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, dhe fitoret e para ruse në fushëbetejë pas muajsh të tërë duhet të ndihmojnë që vëmendja e NATO-s dhe aleatëve të saj të përqendrohet në nevojën urgjente për të mbështetur Ukrainën.

Vdekja e Navalnyt në një burg në Arktik më 16 shkurt, nën rrethana të dyshimta – autoritetet ruse thonë se do të duhen edhe dy javë para se trupi i tij t’i dorëzohet familjes së tij – shton nevojën për të siguruar që udhëheqja autoritare e presidentit rus, Vladimir Putin, të mos kalojë pa u ndëshkuar.

“Besoj fuqishëm se mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e Aleksei Navalnyt është të sigurohemi që presidenti Putin të mos fitojë në fushëbetejë, por Ukraina të triumfojë”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg tha se tërheqja e forcave ukrainase nga qyteti i Avdijivkës javën e kaluar, pas muajsh të luftimeve intensive, dëshmon nevojën për më shumë ndihmë ushtarake “që të sigurohemi që Rusia nuk bën më përparime”.

“Ne nuk besojmë që fakti që forcat ukrainase u tërhoqën nga Avdijivka, në vetvete përbën ndryshim të ndjeshëm të situatës strategjike”, tha ai.

“Por, kjo na kujton ne se Rusia ka vullnet që të sakrifikojë shumë ushtarë. Ajo gjithashtu bën përfitime të vogla territoriale dhe Rusia ka marrë ndihmë të rëndësishme ushtarake nga Irani, Koreja e Veriut, dhe ka qenë në gjendje të rrisë prodhimin e saj”. /rel