Stërvitje e lehtë dhe motivim maksimal i Dardanëve para përballjes së sotme me Rumaninë

Stërvitje e lehtë dhe motivim maksimal i Dardanëve para përballjes së sotme me Rumaninë

Kombëtarja e Kosovës zhvilloi një seancë të lehtë stërvitore gjatë paradites në Kampin Nacional në Hajvali, si pjesë e përgatitjeve finale për përballjen e sotme kundër Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 20:45, në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, gjë të cilën e praktikon përzgjedhësi Franco Foda para çdo ndeshje.

Futbollistët dardanë, nën udhëheqjen e përzgjedhësit Foda dhe stafit të tij teknik, u angazhuan në ushtrime të lehta fizike dhe disa lojëra të shkurtëra me top, duke u fokusuar në ruajtjen e freskisë fizike dhe koncentrimit të nevojshëm për sfidën e mbrëmjes. Atmosfera në ekip është shumë pozitive, me të gjithë futbollistët që treguan përkushtim maksimal gjatë pesë ditëve të kaluara në këtë grumbullim dhe me një motiv të lartë për të nisur këtë edicion të rëndësishëm me fitore.
Gjatë stërvitjes, u vunë re komunikimi i shkëlqyer midis lojtarëve dhe një frymë e fortë grupore, e ku stafi teknik u përqendrua në rikujtimin e detajeve taktike dhe skemave të lojës, duke siguruar që çdo futbollist të jetë i qartë mbi rolin dhe detyrat e tij për ndeshjen e sotme.
Stërvitja u përmbyll me një frymë të lartë pozitive dhe entuziazëm, teksa ekipi duket plotësisht i përqendruar për të nisur me fitore këtë edicion të Ligës së Kombeve.