Steinbaum: Krijimi i Asociacionit nga qeveria e Kosovës bie ndesh me Kushtetutën

Steinbaum: Krijimi i Asociacionit nga qeveria e Kosovës bie ndesh me Kushtetutën

Grupi për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në Uashington publikoi këto ditë një raport në të cilin thotë se kërkesat ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, njëri prej autorëve të raportit, Jason Steinbaum, i cili në të kaluarën ishte këshilltar i kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës Eliot Engel, tha se procesi i Asociacionit, i cili është çështja kryesore që ka shkaktuar përplasjet më të mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, është politizuar dhe se rruga kushtetuese, përmes të cilit komunat mund ta krijojnë vetë asociacionin, është rrugëdalje nga ngërçi.

Disa qeveri në Kosovë, përfshirë qeverinë aktuale, janë pajtuar për krijimin e asociacionit. A fajësoni qeverinë se po tërhiqet nga një çështje për të cilën është pajtuar paraprakisht?

Jason Steinbaum: Nuk është kompetencë e tyre në radhë të parë, bazuar në Kushtetutë. Kosova e konfirmoi se do të bëhej me marrëveshjen e vitit 2013. Në atë marrëveshje, që u ratifikua nga kuvendi, qeveria tha se do të ketë një asociacion të komunave me shumicë serbe.

Ata nuk e themeluan. (Po ta bënin këtë) do të shkelnin Kushtetutën, por ata po shprehnin dëshirën dhe kjo është në rregull. Ajo marrëveshje gjithashtu tha se do të themelohej dhe se statuti i saj do të shkruhej në të njëjtën mënyrë si asociacioni i zakonshëm i komunave, që e krijojnë vetë komunat.