Stano konfirmon takimin e 19 marsit në Bruksel, dinari tema qendrore

Stano konfirmon takimin e 19 marsit në Bruksel, dinari tema qendrore

Më 19 mars do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se në Bruksel për të martën janë ftuar shefat e delegacioneve nga të dy vendet; Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq nga Serbia.

Në këtë takim do të flitet me theks për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që dinari serb të mos përdoret si mjet pagesave.

“Siç e kemi thënë nga takimi i parë, që ishte i dedikuar për vendimin e BQK-së, duhen më shumë bisedime”, ka thënë Stano.

“Takimi ka zgjidhur disa çështje, ka prekur disa gjëra dhe disa gjëra kanë mbetur që të vazhdohen. Ky saktësisht është vazhdimi. Në këtë fazë janë kryenegociatorët”.

Stano ka vazhduar duke thënë se në agjendën e së martës është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, që ai e ka quajtur çështje urgjente.