Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit, Kilajt, Fazliut dhe Smakajt

Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit, Kilajt, Fazliut dhe Smakajt

Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë vazhduar paraburgimin të Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakaj, për aktakuzën e ngritur për ndikim ndaj dëshmitarëve.

Zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, në një konferencë për media pohoi se arsye për vazhdimin e masës së paraburgimit është mundësia e arratisjes, raporton Klan Kosova.

“Më 7 dhe 8 prill 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt, me konstatimin se për katër të akuzuarit ekzistojnë arsye të artikulueshme për të besuar se mund të arratisen, të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera. Gjykatësja e Procedurës Paraprake konstatoi më tej se këto rreziqe mund të zvogëlohen vetëm duke vazhduar paraburgimin e tyre”, ka thënë Griep.

Griep ka shtuar se në këtë rast se kanë pranuar një kërkesë të mbrojtjes së Smakajt që të pushojnë procesin kundër tij për shkak të një interviste të dëshmitarit 2.

“Më 7 prill, Gjykatësja e Procedurës Paraprake hodhi poshtë një kërkesë të Mbrojtjes së z. Smakaj për të pushuar procesin kundër z. Smakaj, bazuar në një intervistë të dëshmitarit 2, që u nxor për Mbrojtjen dhe Gjykatësen e Procedurës Paraprake vetëm pasi ishte konfirmuar Aktakuza. Mbrojtja ishte e mendimit se Gjykatësja e Procedurës Paraprake nuk do ta kishte konfirmuar Aktakuzën po të kishte qenë në dijeni të kësaj interviste. Megjithatë, Gjykatësja e Procedurës Paraprake konstatoi se vendimi për konfirmim në lidhje me përgjegjësinë penale të z. Smakaj u bazua në disa faktorë dhe, rrjedhimisht, ajo nuk u bind se dijenia për intervistën do ta kishte ndryshuar vendimin e saj. Bazuar në këtë, Gjykatësja e Procedurës Paraprake arriti në përfundimin se intervista me dëshmitarin 2 është aspekt që do të diskutohet gjatë gjykimit”, u shpreh Griep.