Spanja nis 500 ushtarë shtesë në Valencia teksa rriten kritikat e banorëve të zonës

Spanja nis 500 ushtarë shtesë në Valencia teksa rriten kritikat e banorëve të zonës

Rreth 500 ushtarë shtesë do të angazhohen në rajonin e Valencias, teksa banorët kritikojnë autoritetet për përgjigjen e tyre ndaj vërshimeve katastrofale.

Më shumë se 200 persona janë konfirmuar të vdekur, dhe shumica prej tyre në dhe rreth Valencias, mirëpo numri i viktimave pritet të rritet edhe më tepër.

Shirat e rrëmbyeshëm, që kanë nisur të hënën, kanë shkaktuar vërshime, të cilat më pas kanë shkatërruar ura dhe kanë mbuluar qytezat me baltë.

Për pasojë, banorët kanë mbetur pa ujë, ushqim dhe rrymë.

Mijëra persona kanë udhëtuar drejt zonave rurale për të ndihmuar në përpjekjet për pastrim të zonës, ndonëse të premten autoritetet kanë paralajmëruar se trafiku do të kufizohet përgjatë fundjavës në atë pjesë, për të siguruar qasje më të lehtë për punëtorët e urgjencave.