SPAK: Rritet numri i grave në trafikun e drogës
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri në raportin vjetor ka renditur edhe tipologjitë e grupeve kriminale që kryejnë vrasje dhe merren me trafikun e drogës. Sipas SPAK, ato përbëhen nga 15 deri në 25 anëtarë.
Nga hetimet e vitit 2023, vihet re se disa nga grupet kriminale te njohura në vend, tregojnë se kanë arritur të sofistikojnë veprimet e tyre. Ato janë poli-kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe.
Në 2023-ën, Prokuroria e Posaçme ka konstatuar edhe një rrugë të re të trafikut të drogës nga Lindja e Mesme, duke e përdorur Shqipërinë si tranzit për në tregjet e Bashkimit Evropian.
Dhuna, ishte një veçori në zbehje, por mbetet një karakteristikë e këtyre grupeve. Kryesisht dhuna përdoret nga grupe me strukturë hierarkike, të cilat bazohen në lidhje gjaku dhe familjare.
Ato janë në konflikt për kontroll territori ose konkurrencë për tregje kriminale. Raporti thotë se këto grupe kanë aktivitet të konsoliduar në një territor të caktuar, por disa prej tyre veprojnë dhe jashtë.
“Grupet kriminale kanë bashkupim në disa raste me punonjës policie, por edhe me eksponentë të drejtësisë”, thekson SPAK. Një veçori tjeter, është edhe përfshirja e biznesmenëve të fuqishëm kryesisht në nivel lokal në krim të organizuar.
Prokuroria e Posaçme ka konstatuar në vitin 2023 edhe një tendencë në rritje të vajzave në funksione të rëndësishme brenda grupeve kriminale. Ato merren me trafikun e narkotikëve, po ashtu edhe me administrimin e të ardhurave apo dhe me transferimin fizik të parave. Kryesisht femrat, të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese te krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm prej tyre./tvklan