Sot përsëri në Bruksel takohen kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq

Sot përsëri në Bruksel takohen kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq

Sot në Bruksel, do të takohen kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, për të diskutuar sërish dhe gjetur një zgjidhje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb, brenda rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti dje ka thënë se kryenegociatori Besnik Bislimi, në takimin e së enjtes në Bruksel nuk mund të negociojë për rregulloren e Bankës Qendrore që përjashton dinarin nga përdorimi.

“Unë e kam thënë mendimin tim dhe ne i mbahemi nën dhe prapa Bankës Qendrore. Kur ishte problemi me targat atëherë ministri Sveçla dhe unë kemi qenë në linjën e parë, tash s’jemi. Unë nuk jam kryeministër që vendos për BQK-në. Pushtetet janë të ndara në Kosovë, ne nuk jemi shtet autokratik si Serbia ku një njeri vendos për të gjitha. Pra, ka një vendim, një rregullore të BQK-së dhe ne jemi këtu si qeveri për t’i ndihmuar. Për këtë arsye zëvendësi im, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë për atë rregullore. Vetëm nëse ka ndonjë pasojë që askush s’e do atëherë hajde të shohim se çka mund të bëjmë që të ketë një tranzicion sa më të mirë e sa më të shpejtë. Ne nuk jemi bartës të këtij vendimi të ri të BQK-së, në këtë kuptim ngjarja kryesore tashmë ka ndodhur, tash jemi në fazën post festum dhe duhet të shohim që të mos ketë asnjë pasojë”, tha Kurti, në një deklarim për media para komunës së Mitrovicës së Veriut.