Sot ndizen qirinjtë për viktimat e gjenocidit në Kosovë

Sot ndizen qirinjtë për viktimat e gjenocidit në Kosovë

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” u ka bërë thirrje qytetarëve që më 15 janar 2024, duke filluar nga ora 19:30, të bëjnë ndezjen e qirinjve në shenjë përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

“Ju ftojmë që deri më 15 janar të vendosni këtë lulëkuqe si fotografi të profilit tuaj. Ftoni edhe miqtë tuaj ta bëjnë këtë gjë. 15 janari – dita e përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. 1999 -2024: një çerek shekulli i gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ne nuk harrojmë! Lulëkuqja me katër petale, simbol i gjenocidit në Kosovë: Katër petalet e lulëkuqes paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit që u zbatuan në Kosovë: vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Ndërsa në vend të kokrrave të zeza të lulëkuqes, në logo janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash për të përfshirë të gjitha kategoritë e shqiptarëve që ishin shndërruar në objekt shkatërrimi nga politika e gjenocidit të Serbisë”, është thënë në njoftimin e kësaj qendre.