Sot ndeshja Legia – Drita

Sot ndeshja Legia – Drita

Skuadra kosovare Drita sot pasdite do ta zhvillojë përballjen e vështirë ndaj gjigantit polak Legia Varshavë, në kuadër të play-offit për Ligën e Konferencës.

“Intelektualët” i pret një përballje shumë e vështirë ndaj Legias, këta të fundit janë favorit të padiskutueshëm.

Megjithatë, Drita është gati për të shkaktuar ndonjë befasi, ngase nuk ka shkuar me flamur të bardhë në Poloni.

Këtë e tha edhe trajneri i skuadrës kosovare Zekirija Ramadani në konferencë për media.

“Dihet që kjo ndeshje për ne është një sprovë e fortë. Përballë kemi Legian, një skuadër që në vendin tonë kur është përmendur futbolli polak, gjithmonë na ka shkuar mendja në dy gjëra, në Lewandowskin dhe në Legian. E dimë që është një ekip i madh, por ne nuk kemi ardhur vetëm për shëtitje”.

“Ne këtu vijmë pas dy fitoreve në raundin e dytë dhe në raundin e tretë. Në katër ndeshje kemi arritur tre fitore dhe një humbje, kështu që besoj tek ekipi im. Por respekti ndaj ekipit kundërshtar është deri në momentin kur fillon ndeshja”.

“Pastaj aty brenda kam kërkuar nga futbollistët që të japin maksimumin dhe ta ndiejnë e ta shijojnë këtë ndeshje. Normal që favorit absolut është Legia, mirëpo ne nuk kemi çfarë të humbim, vetëm mund të fitojmë shumë”, tha Ramadani.

Ndërsa, as Legia e Varshavës s’është duke e nënvlersuar Dritën. Trajneri Goncaloo Feio konfirmoi se synimi është fitorja, mirëpo nuk pret ndeshje të lehtë.

“Nëse dikush pret një shëtitje, ju them menjëherë se nuk do të ndodhë. Vitet e fundit, Drita ishte në gjendje të barazonte me Feyenoordin dhe Victoria Plezin. Kjo flet vetë. Sigurisht që luajmë në shtëpi. Ne duam të fitojmë dhe të jemi shumë më afër grupeve nga kjo ndeshje. Megjithatë, do të doja që ne ta tregonim atë në fushë, jo në konferenca”, tha ai.

Ndeshja Legia-Drita fillon në orën 18:00.