Sorensen zhvillon biseda të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin

Sorensen zhvillon biseda të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se ka zhvilluar të enjten biseda ta ndara me kryenegociatorët e të dyja vendeve, për herë të parë prej marrjes së detyrës nga paraardhësi i tij Mirosllav Lajçak.

Sorensen shkroi në X: “I vlerësoj bisedat shumë të mira dhe i mirëpres ftesat e tyre për t’i vizituar Kosovën dhe Serbinë”.

Ai nuk dha më shumë hollësi rreth bisedave e as rreth vizitave të mundshme në Prishtinë dhe Beograd.

Sorensen, i cili e nisi zyrtarisht punën më 1 shkurt, i zhvilloi këto biseda pak ditë pasi kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, këmbyen akuza në rrjetet sociale.