
Sorensen thekson rëndësinë e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, pas përfundimit të takimeve me liderët shtetëror në Beograd, ka bërë të ditur se gjatë takimeve ka theksuar rëndësinë e normalizimit të raporteve me Kosovën për të mirën e njerëzve.
“Pas vizitës sime në Prishtinë në fillim të gushtit, sot isha në Beograd për bisedime përgatitore para takimeve të ardhshme të Dialogut. I dëgjova me kujdes bashkëbiseduesit e mi dhe theksova rëndësinë e normalizimit për të mirën e njerëzve në terren”, ka shkruar ai në platformën sociale “X”.
Ndryshe Vuçiq pas takimit me Sorensen tha se biseda ishte e hapur dhe u fokusua në vazhdimin e dialogut nën ndërmjetësimin e BE-së, si dhe në sfidat që lidhen me pozitën e serbëve në Kosovë.
Vuçiq theksoi se “dialogu duhet të kthehet te parimet themelore, veçanërisht te detyrimi për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve serbë në Kosovë”.
Ai kritikoi përpjekjet për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme, duke i cilësuar si rrezik për respektimin e të drejtave themelore dhe lirinë politike të serbëve në Kosovë.
“Politika jonë është politikë paqeje, e përkushtuar në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe në mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare”, ka deklaruar ai.
Sipas Vuçiqit, stabiliteti rajonal mund të arrihet vetëm përmes respektit të ndërsjellë, përgjegjësisë dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese.
