“Skandali” si pretekst!

“Skandali” si pretekst!

Shkruan: Fekmi KONGJELI

Fitorja 4:0 ndaj Qipros, pas humbjes kundër Rumanisë, ishte dëshmia më e mirë se Kosova ka potencial për sukses të vazhdueshëm, por asaj i mungon përkrahja e sinqertë nga të gjithë ne!

Nëse e analizojmë situatën në tërësi, debatet në televizione, shkrimet në media dhe komentet në rrjetet sociale nga aktorë të ndryshëm, të niveleve dhe profesioneve të ndryshme, vërejmë se mungojnë kritikat e mirëfillta, të cilat do të ishin shumë të mirëseardhura!

Ka një tendencë të dukshme për t’u fokusuar në anën negative, duke helmuar ambientin publik me qëllim denigrimin e FFK-së, me synim arritjen e qëllimeve personale dhe duke u marrë vetëm me çështje personale.

Prej tre ditësh, opinioni publik merret me përjashtimin e tre lojtarëve për shkak të thyerjes së rregullave. Këta individë e quajnë këtë një “skandal” të FFK-së, duke krijuar debate dhe fjalime të kota, shkrime, ofendime dhe çfarëdo tjetër! Kjo nuk ndodh askund në botë, e lëre më në shtetet e organizuara ku federatat e futbollit përjashtojnë lojtarët për shkelje disiplinore, dhe kjo të quhet skandal i federatës! Mund të quhet gabim i lojtarëve, por jo skandal.

Nuk do të përfshihesha në këto debate të kota dhe tendencioze për rrënimin e jo ndërtimin, sikur të mos ishte për përmendjen e emrit të Florent Muslijës, që është ardhja ime në kombëtare, i akuzuar për thyerje rregullash. Florenti, si profesionist, më ka konfirmuar gjatë bisedës që kam pasur me të se ai ka kërkuar falje për këtë gabim brenda stafit të FFK-së.

Arsyeja e dytë që po shkruaj është sepse të gjitha këto “skandale” shpiken para kompeticioneve kualifikuese, me qëllim për të penguar, dezorientuar dhe manipuluar opinionin publik! Sa larg mund të shkojë urrejtja, injoranca dhe mosmirënjohja, thuhet edhe kjo: se që nga periudha e Fadil Vokrrit nuk ka pasur ardhje të reja në kombëtare për shkak të ambientit të krijuar në FFK! Vetëm në gjashtë muajt e fundit kemi pasur dy përforcime të fuqishme, Elvis Rexhbeçajn dhe Fisnik Asllanin, dhe që nga periudha e Agim Ademit 80% e Kombëtares janë përforcime të reja.

Në grupmoshat nga U15 deri te U21, çdo vit sillen mbi 50% e lojtarëve nga akademitë e ligave evropiane, ku dominon akademia e Bundesligës. Këtë vit janë në proces kontaktimi dhe vëzhgimi 75 lojtarë të akademive të Bundesligës, në grupmoshat U17-U19-U21. Jemi në kontakt me 3 super lojtarë dhe 1 portier, të cilët besoj se shumë shpejt do t’i bashkohen këtij ambienti në FFK! Por këta që flasin dhe shkruajnë, as atëherë e as tani, nuk i ka interesuar as puna dhe as statistikat, por vetëm interesat e tyre personale!

Edhe në kohën e të ndjerit Fadil Vokrri është punuar së bashku, por pa këta që e përmendin emrin e tij vend e pa vend për poena personal. Kemi arritur edhe para pranimit në UEFA dhe FIFA, së bashku me shumë vullnetarë anembanë Evropës, të bindim shumë lojtarë t’i bashkohen Kombëtares, në të gjitha grupmoshat dhe për të dy gjinitë. Kombëtarja është e shenjtë dhe kushdo që bisedon me ne, kupton rëndësinë e respektimit rigoroz të të gjitha rregullave të saj. Për profesionistët, kjo është e vetëkuptueshme!

Rregulli dhe disiplina janë garancia e suksesit! Këtë e dinë edhe manipuluesit dhe dashakeqët, por…!