Skandali seksual, Prokuroria kërkon 4 vjet e 6 muaj burgim për Safet Gjicin

Skandali seksual, Prokuroria kërkon 4 vjet e 6 muaj burgim për Safet Gjicin

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kërkoi sot 4 vjet e gjysëm burgim, dhe 5 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike, për ish kryebashkiakun socialist të Kukësit Safet Gjici.

Ai u arrestua qershorin e vitit të kaluar, një javë pasi në rrjetet sociale u publikua një video në të cilën ai shfaqej në zyrën e tij, duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua, Alma Kaçin. Kjo e fundit po ashtu përfundoi në arrest shtëpie. Për të Prokuroria kërkoi sot 3 vite burgim.

Që të dy, do të përfitojnë uljen me një të tretën të dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Mbi ta rëndon akuza e korrupsionit, e cila nuk është pranuar prej tyre.

Hetimet u mbyllën ne fund të nëntorit të kaluar. Sipas Prokurorisë, zonja Kaçi, është personi që i ka ofruar përfitime në formën e favorit seksual kryebashkiakut, i cili më pas i ka premtuar dhe ka pranuar ta ndihmojë, me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Kukësit.

Avokatët kërkuan 10 ditë kohë për të përgatitur argumentat e tyre të mbrojtjes. Pas paraqitjes së tyre i takon gjykatës të shprehet me vendim.

Ngjarja mori një vëmendje të lartë. Zoti Gjici, i sapo rizgjedhur, dha dorëheqjen nga posti, ditën që u publikua video. Po në të njejtën ditë, Qeveria njoftoi shkarkimin e tij nga detyra, por për arsye që nuk morën ndonjëherë shpjegim, vendimi u botua në Fletoren zyrtare duke marrë kështu fuqi ligjore, vetëm pas 10 ditësh.

Ish kryebashkiaku u shpreh në deklaratën e tij të dorëheqjes, se “prej disa kohësh kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë”, duke pretenduar nga ana tjetër, se kishte rënë pre e një kurthi të organizuar nga kundërshtarët e tij politik. Deri më tani mbeten të paqarta motivet e publikimit të videos, e cila u realizua nga vetë Kaçi.

Gjatë vitit të kaluar, të paktën 7 kryebashkiakë apo ish kryetarë socialist të bashkive, socialist u hetuan, shkuan për gjykim osë u dënuan. Për disa të tjerë, ka patur po ashtu kallzime për të cilat vijojnë verifikimet.