S’ka përparim në zhbllokimin e ngërçit në Kuvend

S’ka përparim në zhbllokimin e ngërçit në Kuvend

Nuk është shënuar ndonjë përparim për ta zhbllokuar ngërçin politik – pas dështimeve të njëpasnjëshme të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës – as pas një takimi të presidentes Vjosa Osmani me shefat e partive parlamentare të enjten.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kryesisht qëndruan në pozicionet e tyre paraprake, “që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik dhe nuk ka as iniciativë që do të zhbllokojë këtë gjendje të tanishme”, shkruan Rel.

Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës tha se “siç mund ta shihni, nuk ka dalë tym i bardhë, pra nuk ka risi”.

“Nuk jam optimist që Kurti do ta ndërrojë propozimin. Ai nuk i ka votat as për komision as për kryetare e as për kryeministër. Duke mos i pasur votat po e mban peng krejt shtetin”, tha Krasniqi pas takimit.

Krasniqi dhe Abdixhiku thanë se presidentja do të duhej ta shqyrtonte dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.