SIPRI: Lufta në Ukrainë po ndryshon flukset e armëve

SIPRI: Lufta në Ukrainë po ndryshon flukset e armëve

Rusia ka mbetur prapa si eksportuese, Franca po bëhet më e fortë, SHBA po zgjeron më tej rolin e saj udhëheqës. Po Gjermania?

Lufta e Ukrainës ka një ndikim të rëndësishëm në tregtinë globale të armëve. Në raportin e tij të ri, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm SIPRI krahason periudhën nga 2019 deri në 2023 me atë nga 2014 në 2018 dhe gjen ndryshime të shumta, ndonjëherë dramatike.

Vëllimi i tregtisë globale të armëve ka rënë me 3,3 për qind krahasuar me 2014 -18. Por importet e armëve në Evropë gati janë dyfishuar, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë. Pjesa më e madhe e dërgesave të armëve në Evropë, 55 për qind, erdhi ngaSHBA. Kjo është 20 për qind më shumë se në periudhën 2014-18, që është një shenjë e qartë se Evropa është bërë edhe më e varur nga SHBA.

SHBA po zgjeron pozicionin e saj drejtues

Falë rritjes së eksporteve në Evropë, SHBA arriti të rrisë eksportet e saj globale të armëve me 17 për qind. Edhe pjesa e SHBA-së në tregtinë ndërkombëtare të armëve u rrit ndjeshëm nga 34 në 42 për qind. Në mbarë botën, SHBA ka furnizuar 107 vende me pajisje ushtarake, më shumë se në çdo periudhë të mëparshme pesëvjeçare. Dhe kjo i bën Shtetet e Bashkuara kampione të botës.

“SHBA-ja ka zgjeruar rolin e saj global si furnizues armësh, një aspekt i rëndësishëm i politikës së jashtme të këtij vendi,” shkruan Mathew George i SIPRI, duke vënë në dukje se kjo po ndodh në një kohë kur “dominimi ekonomik dhe gjeopolitik i SHBA-së po sfidohet nga disa ekonomi që po zhvillohen me shpejtës”.

Në vitin 2023, Ukraina ishte importuesi më i madh i armëve në botë

Bombarduesi ameikan B1
Bombarduesi ameikan B1Fotografi: Christopher Ruano/picture alliance/Planetpi/Planet Pix/ZUMA Press Wire

Nuk është çudi që midis vendeve evropiane, Ukraina ka rritur në mënyrë dramatike importet e saj të armëve. Ndërsa në periudhën 2014-18 import i saj ishte modest, pjesërisht për faktin se prodhonte vetë shumë armë dhe nuk kishte nevojë për import, në periudhën 2019-23 (në kohën kur Rusia filloi luftën okupatore në 2022) u bë importuesi i katërt më i madh në botë pas Indisë, Arabisë Saudite dhe Katarit. Importet e saj janë rritur rreth 6.600 për qind.

Ndërsa nëse shikoni vetëm vitin 2023, Ukraina ishte importuesi më i madh i armëve në botë. Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se termi “importues” është disi jo i sakt, sepse dërgesat në Ukrainë nuk ishin vetëm shitje por edhe dhurata armësh.

Furnizuesit kryesorë të armëve për Ukrainën në periudhën 2019-2023 ishin SHBA-të me një vëlim prej 39 për qind, e ndjekur nga Gjermania (14 për qind) dhe Polonia (13 për qind).

Rusia ka mbetur prapa

Si më parë, pesë eksportuesit më të rëndësishëm të armëve në botë janë SHBA, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania. Megjithatë, rendi ka ndryshuar nga viti 2014-18, që lidhet edhe me luftën e Ukrainës. Sepse Franca ka zëvendësuar Rusinë në vendein e dytë. Ndërsa eksportet ruse kanë rënë ndjeshëm me 53 për qind, eksportet franceze u rritën me 47 për qind. Numri i vendeve që marrin pajisje ushtarake ruse ka rënë po ashtu në mënyrë dramatike. Ndërsa në vitin 2019, 31 vende të tjera blenë armë nga Moska, në vitin 2023 ishin vetëm 12. Më të rëndësishmet janë India dhe Kina.

Këto dy shtete kanë vazhduar tregtinë me Rusinë edhe kur bëhet fjalë për mallra të tjera, si nafta dhe gazi. “Në raste të tjera, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane ushtruan presion mbi blerësit e mundshëm të armëve ruse,” tha për DW Pieter Wezeman, një nga autorët e raportit. “Një shembull është Egjipti, i cili donte të blinte avionë luftarakë rusë dhe ishte nën presion nga SHBA-ja, ndërsa tani i është drejtuar Francës”.

Strategjia e Francës

Armët në Kinë
Armët në KinëFotografi: Vitaliy Belousov/SNA/imago

Ngritjen e Francës Pieter Wezeman e shpjegon me strategjinë e saj sovrane: “Parisi dëshiron të përdorë fuqinë ushtarake sa herë të dojë, pa u varur nga armët e vendeve të tjera. Që kjo të jetë e mundur, nevojitet industria e armëve. Por për ta ruajtur atë, Francës i duhen eksporte, ndryshe gjithçka do të ishte shumë e shtrenjtë”.

Eksportet franceze të armëve janë rritur ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit. Avionët luftarakë Rafale po shiten veçanërisht si të mirë, sikur edhe nëndetëset dhe fregatat nga kantieret franceze. Blerësi më i madh për Rafale ishte India, e cila bën tregti me Rusinë, por edhe me vendet perëndimore.

Afrika importon shumë më pak armë

Ndërsa Evropa pothuajse dyfishoi importet e saj të armëve, Afrika ka përgjysmuar pothuajse importet. Rënia e importit në Afrikë është kryesisht rezultat i importeve dukshëm më të ulëta në dy vendet më të rëndësishme importuese: Algjeria, e cila përbën 77 për qind të importeve të armëve dhe Maroku, i cili përbën 46 për qind.

Furnizuesi më i rëndësishëm i armëve në Afrikë është Rusia, e ndjekur nga SHBA dhe Kina. Prandaj, Afrika është një rajon që vazhdon të blejë shumë armë nga Rusia, është një rajon ku Rusia po zgjeron pozicionin e saj ushtarak.

Eksportet gjermane

Taurus KEPD 350
Taurus KEPD 350Fotografi: Matthias Balk/dpa/picture alliance

Gjermania mbeti në vendin e pestë në listën e eksportuesve më të mëdhenj. Rajonet kryesore të eksportit të armëve gjermane janë Lindja e Afërme dhe e Mesme. Megjithatë eksportet gjermane të armëve kanë shënuar rënie me 14 për qind. Por rënia është relative, thotë Wezeman, sepse periudha e kaluar pesëvjeçare ishte jashtëzakonisht e suksesshme për shkak të porosive të mëdha, veçanërisht nëndetëseve.

Por viti 2023 ishte një vit veçanërisht i mirë për industrinë gjermane të armëve. “Sigurisht, kjo ka të bëjë me ndihmën e armëve për Ukrainën”, thotë Peter Wezeman, “por ka të bëjë edhe me dërgimin e nëndetëseve në Singapor dhe fregatave dhe korvetave në Izrael dhe Egjipt”. /DW