Sinjalizimi jo vetëm detyrë ligjore, por mundësi për ta ndërtuar një sistem më të besueshëm për qytetarët
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli sot ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit ku është publikuar Raporti “(Mos) zbatimi i Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në ndërmarrjet publike qendrore në Kosovë”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Pjesë e tryezës ishte edhe Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, zyrtarja nga KDI, Albesa Humolli, zyrtari përgjegjës për sinjalizim nga KEK, Labinot Sadiku dhe përfaqësues nga ndërmarrjet publike, si dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli adresoi disa çështje që mund të sjellin zbatim më të mirë në praktikë të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve brenda sektorit publik duke përmendur kështu: qartësimin e kritereve të sinjalizimit dhe definimin e çështjeve që përbëjnë interes publik si dhe ndërtimin e një kulture që nxit sinjalizimin dhe mbështet ata që guxojnë të flasin dhe raportojnë parregullsitë.
“Ne duhet ta shohim këtë proces jo vetëm si një detyrim ligjor, por si një mundësi për të ndërtuar një sistem më të fortë dhe më të besueshëm për të gjithë qytetarët tanë”, tha zëvendësministri Qorrolli.
Tutje zëvendësministri Qorrolli tha se, rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet edhe trajnimit të zyrtarëve përgjegjës për trajtimin e rasteve të sinjalizimit dhe ngritjes së vetëdijes mbi të drejtat e sinjalizuesve.
Në fund, z. Qorrolli foli për rëndësinë e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve duke thënë se është një nga instrumentet themelore në luftën kundër korrupsionit dhe për promovimin e transparencës në sektorin publik.