
Si u kap Maduro në dhomën e gjumit brenda 46 sekondave
Operacioni “Maduro out” ka nisur verën e kaluar, kur Donald Trump autorizoi CIA-n të kryente “aksione të fshehta” në Venezuelë. Konkretisht: të spiunonte lëvizjet e liderit, të studionte bazat e tij të mbështetjes dhe rrjetin e mbrojtjes.
Agjentët e CIA-s lëviznin në heshtje, duke kombinuar metodat klasike të infiltrimit me teknologjitë më të avancuara, si dronët.
Është e besueshme, edhe pse dje Donald Trump nuk e përmendi në konferencën e gjatë për shtyp nga Mar-a-Lago, që në të njëjtën kohë shërbimet sekrete amerikane të kenë kërkuar edhe ndonjë mbështetje brenda aparatit ushtarak vendas. Sado efikas të ketë qenë blitz-i amerikan, është e pashmangshme të imagjinohet se dikush ka lehtësuar gjërat, në një vend të mbytur prej vitesh nga kontrolle në kufijtë e paranojës.
Ora X nis kur në Uashington është ora 22:46 e së premtes, 2 janar (në Shqipëri 4:46 e së shtunës, 3 janar). Mobilizimi përfshin reparte të marinsave, të aviacionit dhe sidomos skuadrone speciale antiterrorizëm të Delta Force. Ngrihen mbi 150 avionë nga 20 baza, të shpërndara në tokë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, ose në aeroplanmbajtëse. Dislokimi është mbresëlënës, një lloj ekspozite e fuqisë amerikane: nga F-35 te bombarduesit B-1, përveç dronëve dhe helikopterëve. Për Trumpin është “aksioni më i madh që nga koha e Luftës së Dytë Botërore”.
Informacionet satelitore dhe njësitë e inteligjencës të fshehura në Karakas udhëheqin afrimin e formacionit ajror. Është thellë natë kur avionët bombardojnë të paktën katër objektiva në kryeqytet dhe rrethina: portin La Guaira, aeroportin Higuerote dhe pozicionet e La Carlota dhe, më në fund, objektivin e vërtetë, kompleksin ushtarak të super-ruajtur Fuerte Tiuna, ku Maduro fle me bashkëshorten Cilia Flores.
Për amerikanët është thelbësore të ruhet faktori i befasisë: një gabim i vetëm dhe rrezikohet dështimi. Gjenerali Caine shpjegoi dje se ishin studiuar të gjitha detajet për të “minimizuar” dëmet ndaj civilëve. Për momentin, nuk është ende e qartë nëse ka pasur viktima. Trump e përjashtoi këtë për sa u përket amerikanëve.
Çifti presidencial pushon në katin përdhes. Brenda 46 sekondash, sipas versionit të Trumpit, “Delta” hyn me forcë në dhomën e gjumit. Maduro ka vetëm kohë të çohet dhe të përpiqet të strehohet në një ambient ngjitur, një lloj bunkeri me derë çeliku. Por bën pak hapa, kthehet nga bashkëshortja e palëvizur në shtrat. Bllokohet. Është tashmë me pranga. Janë agjentët e FBI-së që i komunikojnë urdhër-arrestin e lëshuar nga prokurorët e Nju Jorkut, sepse, siç vuri në dukje Rubio, ky nuk është “një akt lufte”, por “zbatimi i një urdhri të dhënë nga gjykatësit amerikanë.”
Misioni është pothuajse i përfunduar, por mungon ndoshta faza më delikate: nxjerrja e shpejtë e dy të burgosurve, ngarkimi i tyre në helikopterë dhe dalja nga hapësira ajrore e Venezuelës. Në det, përballë bregut, pret një njësi e marinës ushtarake amerikane, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Iwo Jima. Në orën 4:29 lokale (3:29 në Uashington dhe 9:29 në Itali) Apache-t ulen në kuvertën e anijes së madhe.
Avionët e eskortës kthehen në baza, flota drejtohet nga brigjet e Shteteve të Bashkuara. Trump poston foton e “Maduro-s me zinxhirë”, një Vercingetorix modern, por me tuta gri dhe me fytyrën gjysmë të fshehur pas syzeve të mëdha të diellit.
