Si t’i ruani të dhënat nëse ju vjedhin telefonin, “Apple” ka një opsion të ri për iPhone
Kompania Apple përditësoi këtë javë programet e saj për telefonat inteligjentë me një opsion të ri quajtur “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”, që e bën shumë më të vështirë për hajdutët e telefonave qasjen në funksionet kryesore të tij. Kompania i bëri thirrje përdoruesve ta aktivizojnë menjëherë atë.
A duhet të aktivizojë funksionin e ri për mbrojtjen e pajisjes së vjedhur?
Programi për telefonat inteligjentë dhe iPad-et, u përditësua me një opsion të ri të krijuar për të penguar hajdutët që të fshijnë të dhënat e telefonave, me qëllimin për t’i rishitur. Po kështu, opsioni pengon qasjen tek Apple ID-ja, llogaria e përdoruesit, e cila përdoret për të hyrë në të gjitha shërbimet që ofron Apple-i, si dhe për t’i bërë të gjitha pajisjet të punojnë të ndërlidhura e pa probleme. “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur” është një opsion i ri që përfshihet me versionin më të fundit të sistemit operativ iOS, 17.3.
Kompania Apple thotë se funksioni i ri është një shtresë, shtesë sigurie për përdoruesit e telefonave inteligjentë (IPhone). Kjo i jep zgjidhje një dobësie që hajdutët kanë arritur ta zbërthejnë e ta shfrytëzojnë për të bllokuar viktimat që të hyjnë në llogaritë e tyre në Apple, të fshijnë fotot apo gjithcka tjetër nga llogaritë e tyre në iCloud si dhe t’u zbrazin llogaritë e tyre bankare, duke gjetur fjalëkalimet e ruajtura në menaxherin e fjalëkalimeve të programit “Keychain”.
Apple nxori këtë funksion të ri për shkak të një rritjeje të numrit të vjedhjes së telefonave. Shumë raste të tilla janë publikuar në platformën “Reddit” dhe në artikuj të tjerë të botuar nga Los Anxhelosi deri në Londër, ku policia thotë se taktikat më të zakonshme të hajdutëve janë vjedhja telefonave nga xhepat, tavolinat e restoranteve deri tek rrëmbimi nga dora, hipur mbi motoçikleta.
Gazeta ‘Wall Street Journal’ botoi një artikull vitin e kaluar ku tregonte se si i vëzhgonin hajdutët viktimat e tyre teksa përdornin fjalëkalimet, para se t’u vidhnin telefonat.
Si funksionon opsioni “mbrojtja e pajisjes së vjedhur”?
Opsioni i ri “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur” ruan gjurmët e “vendndodhjeve të ditura” të përdoruesit, si shtëpia ose vendi i punës, dhe shton shtresa sigurie shtesë me teknologji biometrike, që duhen kapërcyer nëse dikush përpiqet të përdorë pajisjen për të kryer funksione të caktuara, jashtë atyre zonave.
Opsioni i ri, gjithashtu, zvogëlon rëndësinë e fjalëkalimeve, të cilat hajdutët mund t’i vjedhin duke para nga dikë ose duke kërcënuar dhe detyruar viktimat t’i dorëzojnë ato. Ai favorizon funksionet “biometrike” për hapjen e pajisjes, si skanimi i fytyrës apo gishtërinjve, që janë shumë më të vështira për t’u kopjuar.
Kështu që, nëse një iPhone vidhet pas aktivizimit të “Mbrojtjes së Pajisjes së Vjedhur”, për fshirjen e të dhënave të telefonit, hajdutit do t’i kërkohej skanimi i fytyrës ose shenjat e gishtërinjve.