Shtyhet shpallja e aktgjykimit ndaj Trumpit deri pas zgjedhjeve
Shpallja e aktgjykimit kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në rastin penal për blerjen e heshtjes, është shtyrë deri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Gjykatësi Juan Merchan tha të premten se e ka shtyrë shqiptimin e dënimit deri më 26 nëntor, ndër të tjera, për shkak të “kornizës së veçantë kohore në të cilën kjo çështje gjen veten”.
Avokatët e Trumpit, kandidatit republikan për president, kanë përdorur disa manovra ligjore për ta shtyrë shpalljen e aktvendimit, i cili ishte paraparë për 18 shtator.
Trumpi u shpall fajtor në maj nga një gjykatë në Nju Jork për të gjitha 34 akuzat me të cilat përballej për falsifikimin e regjistrave biznesore të kompanisë, duke u bërë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale, shkruan Rel.