Shtesat për lehona dhe për fëmijë, platforma e-kosova jep sqarime rreth aplikimit
Platforma shtetërore, e-Kosova ka dhënë disa sqarime që mund t’i ndihmojnë qytetarët të cilët janë duke hasur në probleme teknike gjatë aplikimit për shtesat për nënat lehona dhe për shtesat për fëmijë.
Kjo platformë ka njoftuar se ditëve të fundit ka pranuar shumë kërkesa si rrjedhojë e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove shtesë për fëmijë.
Një nga pyetjet e shpeshta që e-Kosova thotë se ka pranuar nga qytetarët është se si mund t’i ndryshojnë të dhënat, në rast se i kanë shënuar gabimisht.
“Të dhënat për numrin e telefonit dhe e-mail adresën mund t’i ndryshoni në profilin tuaj në e-Kosova”, thuhet në sqarim.
Nëse keni vështirësi, atëherë e-Kosova sugjeron që të shënoni kërkesën për ndryshim të të dhënave tek moduli “Ndihma” në platformë ose në email adresën [email protected].
“Fëmija im ka mbushur tre muaj dhe sistemi nuk më lejon të bëj aplikimin për shtesa për lehona? Në bazë të vendimit të Ministrisë së Financave aplikimi për shtesa për lehona duhet të realizohet në tre muajt e parë të lindjes së fëmijës”.
e-Kosova ka dhënë një sqarim edhe për rastet kur gjatë aplikimit për shtesa për lehona shfaqet mesazhi “Kjo xhirollogari bankare nuk korrespondon me numrin tuaj personal”.
“Ju duhet të kontaktoni me bankën tuaj dhe të kërkoni që xhirollogaria juaj të raportohet si aktive në sistemin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Gjatë aplikimit për shtesa për fëmijë më shfaqet mesazhi “Të dhënat e fëmijës nuk përputhen me të dhënat e nënës në gjendjen civile” çfarë duhet të bëj?”.
“Ju duhet të lajmëroheni në zyrën e Gjendjes Civile në komunën tuaj dhe të kërkoni që të bëhet ndërlidhja e numrave personal në mes të nënës dhe fëmijës. Aplikimin për shtesa për lehona dhe fëmijë e kam realizuar me sukses mirëpo nuk kam pranuar pagesën? Pagesat për këto shërbime zakonisht ekzekutohen me datën 25 të çdo muaji”.
Për informata më të hollësishme rreth pagesave, e-Kosova thotë se duhet kontaktoni me Ministrinë e Financave në numrin 0800 44440.
“Nga cila datë mund të aplikoj për shtesa për fëmijë dhe lehona? Aplikimet për shtesa për fëmijë dhe lehona janë të hapura çdo muaj nga data 1 deri më 20. Nëna e fëmijës nuk është shtetase e Kosovës, si mund të realizojmë aplikimin për shtesa për fëmijë? Në rastet kur nëna nuk është shtetase e Kosovës aplikimin për shtesa për fëmijë e realizon babai nga profili i tij në e-Kosova”.
“Gjatë aplikimit për shtesa për fëmijë a mund të shënojë xhirollogarinë bankare të bashkëshortit pasi që unë nuk posedoj gjiro-llogari bankare? Xhirollogaria bankare duhet të jetë në emër të aplikueses, nuk pranohen xhirollogari tjera”, thuhet mes tjerash.