Shtëpia e Bardhë: Irani mund të kryejë sulme ndaj Izraelit gjatë kësaj jave

Shtëpia e Bardhë: Irani mund të kryejë sulme ndaj Izraelit gjatë kësaj jave

Irani mund të kryejë sulme “domethënëse” ndaj Izraelit gjatë kësaj jave, tha Shtëpia e Bardhë më 12 gusht, teksa presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar për krizën në Lindjen e Mesme me udhëheqësit evropianë.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për atë që mund të jenë një seri e sulmeve domethënëse”, tha për gazetarët zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane, John Kirby.

“Ne ndajmë të njëjtat shqetësime dhe pritje sikurse homologët tanë izraelitë sa i përket kohës së mundshme [të ndonjë sulmi iranian], që mund të ndodhë këtë javë”, shtoi Kirby.

Deklaratat e Kirbyt u bënë në kohën kur SHBA-ja dërgoi një luftanije dhe një nëndetëse në rajonin e Lindjes së Mesme për të treguar mbështetje për Izraelin.

Irani dhe grupi libanez, Hezbollah – që është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – janë zotuar se do të hakmerren ndaj Izraelit.

Ata kanë thënë se do të hakmerren për vrasjen muajin e kaluar të shefit politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – Ismail Haniyeh në Iran, dhe të komandantit të Hezbollahut, Fuad Shkur në Bejrut.

Biden ka biseduar me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë të hënën lidhur me rritjen e tensioneve, shtoi Shtëpia e Bardhë, shkruan Rel.

Biseda telefonike “gjerësisht ishte përsëritje e atyre që udhëheqësit kanë thënë më parë, në kuptimin e riafrimimit të mbrojtjes së Izraelit” dhe “dërgimit të mesazhit të fuqishëm se ne nuk duam të shohim rritje të dhunës, nuk duam të shohim sulme nga Irani apo bashkëpunëtorët e tij”.

Udhëheqësit po ashtu kanë bërë thirrje për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, të cilët po luftojnë që nga 7 tetori.

Lufta në Gazë u nxit nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë më shumë se 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë rreth 40.000 palestinezë.