Shqipëria sonte e kërkon fitoren e dytë në Ligën e Kombeve
Kombëtarja shqiptare do të zbresë sonte në fushën e blerta për ta zhvilluar ndeshjen e dytë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë aventurën në Grupin 1 të Ligës B duke e mposhtur Ukrainën në Republikën Çeke.
Tash, ekipi i Sylvinhos synon ta përsërisë paraqitjen e së shtunës për ta dhënë një paraqitje tjetër fantastike.
“Shqiponjat” do ta presin Gjeorgjinë në stadiumin “Air Albania”, i cili do të jetë i stërmbushur pasi janë shitur të gjitha biletat.
Kjo njëherësh do të jetë edhe ndeshja e parë e Shqipërisë në shtëpi pas paraqitjes që e pati në Euro 2024.
Kuqezinjtë në fakt s’do të kenë punë të lehtë pasi Gjeorgjia është një “mace e zezë” për ta.
Fitorja e fundit e Kombëtares ishte në vitin 2005 në “Qemal Stafa”, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Gjermani 2006”, e cila u mbyll me rezultatin 3-2 për gjeorgjianët.
Që atëherë Shqipëria është përballur 5 herë me Gjeorgjinë, ku numëron tre barazime dhe dy humbje, të gjitha miqësore.
Në totalin e përballjeve me njëra-tjetrën, kuqezinjtë numërojnë tre fitore, ndërsa gjeorgjianët 8m derisa 4 janë mbyllur në barazim.
Gjithsesi, me Sylvinhon në krye Shqipëria ka treguar që nuk e ka frikë asnjë skuadër, pasi theu tre “tabu” duke i mundur tri kombëtare që nuk kishim fituar kurrë, Poloninë, Çekinë dhe Ukrainën.
Një avantazh tjetër për djemtë tanë është edhe “Arena Kombëtare”. Disfata e fundit e Shqipërisë në këtë stadium daton më 16 nëntor 2022, 1-3 përballë Italisë në miqësore.
Pas kësaj erdhi fitorja me Armeninë 2-0, e cila ishte dhe e fundit për Edy Rejan në stolin kuqezi.
Më pas në krye erdhi Sylvinho, i cili në 5 ndeshjet e zhvilluara brenda, numëron 4 fitore dhe një barazim.
Trajneri brazilian kërkon ta ruajë këtë vazhdimësi, ndërsa një fitore e radhës do ta linte Shqipërinë të vetme në krye të Grupit B1, e cila do të thoshte një hap i vogël drejt ëndrrës për ta parë Kombëtaren në një Kampionat Botëror.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:45.