Shqipëria mundet nga Ukraina

Shqipëria mundet nga Ukraina

Shqipëria ka pësuar një humbje 2-1 në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, atë me Ukrainën në “Air Albania”. Një disfatë që i ka vendosur kuqezinjtë në vendin e fundit në grup, që do të thotë zbritje në Ligën C, shkruan rtsh.

Sfida nisi me një minutë heshtje në nderim të 14-vjeçarit Martin Cani, futbollist i Dinamos, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike.

Më pas pjesa e parw foli për skuadrën e Ukrainës, e cila brenda 10 minutave arriti të shënojë dy herë me një lehtësi të pabesueshme, me Zinchenko 5′, Yaremchuk 10′. Nuk munguan dhe mundësi të tjera për skuadrën e drejtuar nga Rebrov, ndërsa reagimi kuqezi ishte mjaft i vakët.

Megjithatë, në pjesën e dytë situata ndryshoi, aktivizimi i Uzunit dhe Bajramit i dha një tjetër ritëm formacionit kuqezi. Nje penallti e fituar nga Uzuni, e kthyer në gol nga Bajrami në minutën e 75-të solli më shumë entuziazëm, por pa arritur te hapi vendimtar, për të marrë të paktën barazimin.

Mbyllet 1-2 me Shqipërinë që prek vendin e fundit, me 7 pikë, që do të thotë se zbret në Ligën C. Gjeorgjia po me 7 pikë do të luajë në play out, për të pretenduar qëndrimin në Ligën B.

Çekia e ka mbyllur në vend të parë dhe do të ngjitet automatikisht në Ligën A, ndërsa Ukraina e vendit të dytë do të luajë në play off për të pretenduar ngjitjen.