Shqipëri: Gjykata e Posaçme e lë në burg ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj

Shqipëri: Gjykata e Posaçme e lë në burg ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën arrest me burg për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Të njëjtën masë gjykata e caktoi edhe për Ermal Kurtulajn.

Ndërsa për Elton Marinin dhe Alfred Nikollin u caktua masa arrest në shtëpi, ndërsa në detyrim paraqitje u lanë Bledar Leka dhe Bjona Zijaj.

Seanca ndaj ish-ministrit dhe pesë personave të tjerë që po akuzohen për abuzim me fondet e BE-së, zgjati mbi gjashtë orë.

Beqaj në seancë mohoi të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, raporton Tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.

Ai kërkoi masë më të butë sigurie duke ofruar garanci pasurore me vlerë 50 mijë euro.

“Nuk janë shkelur rregullat e BE që njihen si prag në gjuhën juridike dhe s’është përcaktuar cili nen është shkelur nga zotëri Beqaj. Nuk është lëshuar asnjë faturë fiktive, ish-ministri nuk ka lidhje me restorantin”, ishin pretendimet e palës mbrojtje.

Vetë avokati i ish-ministrit, pas përfundimit të seancës deklaroi se klienti i tij nuk i shmanget drejtësisë, ndërsa e gjithë kjo sipas tij, është një tentativë për tre qëllime.

“Kjo është një tentativë për ta denigruar si figurë, për ta nxjerrë si person që mund të akuzohet edhe për vjedhje nga më minimalet, nga më të voglat, për ta penguar zotëri Beqajn që të vazhdojë të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë dhe për të penguar edhe deklarimin e tij në Kuvend”, tha mes tjerash avokati Ermal Yzeiraj.

Në seancë, i pranishëm ishte edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, ndërkohë që verdikti u dha nga gjyqtarja Rudina Palloi.

Ilir Beqaj u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Çështja për abuzimet me fondet e BE-së u zbulua nga hetimi i koncesionit të Check-up.

SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj, në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish-ministri përmes restorant “Gzona” në Tiranë.