Shpërthimi në Kçiq, Kurti viziton të lënduarit në QKUK

Shpërthimi në Kçiq, Kurti viziton të lënduarit në QKUK

Kryeministri Albin Kurti i ka vizituar sot në QKUK të lënduarit nga shpërthimi i një bombole gazi në Kçiq të Mitrovicës.

“Për diç më shumë se një orë, mjekët dhe infermierët kujdestarë në QKUK, i shpëtuan 15 qytetarë të aksidentuar nga shpërthimi i një bombole gazi në Kçiq të Mitrovicës”.

“Disa janë të lënduar lehtë, por ka edhe të lënduar rëndë me djegie të shkallës së dytë e të tretë. E falënderojmë personelin kujdestar për ndërhyrjen e shpejtë dhe angazhimin profesional, ndërkaq të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejtë e të plotë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ishin po ashtu sonte në Klinikën e Emergjencës dhe atë të Kirurgjisë Plastike ku po vazhdojnë përpjekjet e mëdha për të mënjanuar rrezikun për jetë në një nga rastet”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se nuk është aksidenti i parë i këtillë.

Kryeministri ka theksuar se qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre.

“Ndërkaq inspektoriatet dhe organet tjera përkatëse të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg”, është shprehur ai.