Shpallen më të mirët e kickboksit për vitin 2024

Shpallen më të mirët e kickboksit për vitin 2024

Federata e Kick Boksit të Kosovës ka përzgjedhur më të mirët e këtij sporti për vitin 2024.

Kickboksieri më i mirë u shpall Artor Mehmeti, i ndjekur nga Ermal Ferati dhe Gezim Behrami në pozitat dy dhe tre.

Ndërsa nga vajzat, kickboksierja më e mirë u shpall Doneta Menxhiqi.

Me këtë rast, Kryetari i Federatës së Kickboksit të Kosovës, Fatmir Makolli theksoi se viti 2024 ishte jashtëzakonisht i suksesshëm për këtë sport, derisa shtoi se në vitin 2025 do të punohet për të arritur rezultate edhe më të mira.

“Mendoj që ne në këtë vit kemi qenë mjaft të suksesshëm dhe besoj që sukseset nuk na kanë munguar në këtë vit. Ne kemi pasur pesë aktivitete ndërkombëtare, ku kemi pasur suksese të mëdha. Të arrish që në një Kampionat Ballkanik t’i fitosh 17 medalje ka qenë një sukses shumë i madh, të arrish në një Kampionat Botëror t’i marrësh dy vende të pesta ka qenë një sukses shumë i madh. Në të ardhmen ne do të punojmë edhe më shumë me Bordin e Federatës së Kickboksit të Kosovës sepse dihet që ne në Kosovë kemi brum për të pasur sportistë të mirë, mund të bëjmë sportistë të mirë, mund të bëjmë kampionë evropian edhe botërorë”, ka thënë Makolli.

Punën e kësaj federate gjatë vitit 2024 e lavdëroi edhe Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili deklaroi se federata solli rezultate shumë të mira nga pjesëmarrja nga garat ndërkombëtare.

“Viti 2024 mund të them që ka qenë një prej viteve më të suksesshme të kësaj federate duke pasur parasysh që keni qenë prezentë në shumë aktivitete ndërkombëtare dhe vendore dhe për atë arsye edhe sukseset nuk kanë munguar”, u shpreh Krasniqi. /kp