
Shoqata e Trajnerëve mbajti Kuvendin e rregullt të punës
Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, u mbajt dje Kuvendi i rregullt i punës i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës. Në këtë kuvend morën pjesë 24 nga 26 delegatë, të cilët në unanimitet miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës.
Kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Muharrem Sahiti, falënderoi të gjithë delegatët për angazhimin e tyre gjatë këtij viti, duke e cilësuar punën dhe kontributin e tyre si thelbësor për zhvillimin e futbollit në vend.
“Falë punës suaj dhe bashkëpunimit që kemi pasur gjatë vitit 2024, kemi arritur rezultate të rëndësishme në avancimin e futbollit dhe zhvillimin e trajnerëve. Besoj se së bashku do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim edhe në vitin e ardhshëm për t’i çuar përpara objektivat tona, drejt ngritjes së mëtejme të futbollit në vendin tonë”, tha Sahiti.
Delegatët në diskutimet e tyre shprehën përkushtimin për të vazhduar me punë profesionale në zhvillimin e talenteve dhe ngritjen e cilësisë dhe standardeve të trajnerëve në futbollin kosovar.