Shoqata e Pacientëve kërkon hetim të plotë për vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar pas vdekjes së 4-vjeçares nga komuna e Gjakovës.
Përmes një njoftimi për media, kjo shoqatë ka thënë se e ka mirëpritur me shqetësim lajmin për 4-vjeçaren, përderisa ka bërë thirrje të hetohet në detaje vdekja e vogëlushes.
“Nga deklarata e prindërve vërehet një menaxhim jo i kirë i rastit thuajse në secilin segment, brenda të cilit mund të gjenden vepra penale , shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human. Ftojmë Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Shëndetësor dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që ta hetojnë këtë rast, ta gjykojnë dhe ta dënojnë në përputhje me shkeljet e evidentuara. Ky rast tregon mirë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor në menaxhimin e rasteve”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë– PRAK me shqetësim ka me shqetësim e ka pranuar lajmin për vdekjen e vajzës 4-vjeçare nga komuna e Gjakovës.
Nga deklarata e prindërve vërehet një menaxhim jo i kirë i rastit thuajse në secilin segment, brenda të cilit mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim johuman.
Ftojmë Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Shëndetësor dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që ta hetojnë këtë rast, ta gjykojnë dhe ta dënojnë në përputhje me shkeljet e evidentuara.
Ky rast tregon mirë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor në menaxhimin e rasteve.
Rastet si ky flasin për një pasiguri të sistemit të cilat shkojnë në dëm të pacientëve. Të vdes fëmija brenda ditës dhe të kemi deklarata kontraverse rreth shkakut, kjo është e papranueshme.
Falënderojmë mediat për sensibilizimin e këtij rasti, por, këtu ngrihen pikëpyetje, sa raste të tjera si ky mund të vdesin në heshtje dhe shkaktarët e vdekjeve t’i mbulojë dheu!?