Shmanget mbyllja e Qeverisë amerikane

Shmanget mbyllja e Qeverisë amerikane

Senatorët amerikanë të premten mbrëma i dhanë dritën jeshile një pakete për financimin e Qeverisë që mban të hapura disa departamenteve kyçe, që rrezikonin të mbylleshin gjatë fundjavës.

Ky konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt finalizimit të buxhetit federal për vitit 2024, pas një bllokade disamujore në Kongresin thellësisht të ndarë.

Paketa në vlerë prej 460 miliardë dollarësh mori mbështetjen e dy partive, edhe pse kishte kundërshtime nga dhjetëra republikanë të cilët nuk e kanë pranuar marrëveshjen lidhur me shkurtimin e shpenzimeve. Po ashtu një ligjvënës demokrat votoi kundër marrëveshjes.

Kongresi është dashur të miratonte pesë muaj më parë 12 projektligje vjetore që përbëjnë buxhetin federal dhe pa votimin e së premtes, gjatë fundjavës do të mbylleshin disa departamente qeveritare dhe agjenci.

Por, Senati e shmangi mbylljen me një marrëveshje të arritur për gjashtë projektligjet e para, duke u mundësuar departamenteve apo agjencive që merren me bujqësi, tregti, drejtësi, shkencë, mjedis, strehim dhe transport, të funksionojnë deri në fund të vitit fiskal, më 30 shtator.

Disa prej kundërshtive më të mëdha – që kanë të bëjnë me projektligjet për financimin e mbrojtjes, sektorit të punës, të shëndetësisë dhe sigurisë kombëtare – janë vendosur në paketën e dytë e cila duhet të dërgohet te presidenti amerikan, Joe Biden, deri më 22 mars.