ShKK-ja pranon donacionin më të madh të dhuruar ndonjëherë nga EULEX-i
Shërbimi Korrektues i Kosovës sot ka pranuar donacion e radhës nga EULEX-i.
“Në ceremoninë zyrtare të organizuar për këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, z. Ismail Dibrani, së bashku me Udhëheqësin e Shtyllës së Monitorimit të EULEX-it, z. Giovanni Galzignato, dhe Shefen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, znj. Anu Melkko, nënshkruan marrëveshjen për pranim-dorëzimin e këtij donacioni”, thuhet në komunikatën e ShKK-së.
“Donacioni, i konsideruar si më i madhi deri më tani për ShKK-në, përfshin pajisje moderne, duke përfshirë: një veturë, një gjenerator, 293 kompjuterë dhe laptopë, si dhe pajisje të tjera teknologjike, si skanerë, printerë, telefona, radio-lidhje dhe inventarë për zyrë”.
Dibrani falënderoi EULEX-in për mbështetjen e jashtëzakonshme, duke thënë se donacioni do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe modernizimin e pajisjeve teknike.
“Kjo ndihmë do të kontribuojë në avancimin e standardeve dhe efikasitetit të institucioneve tona korrektuese,” ka thënë ai.
Ndërkaq, Galzignato dhe Melkko vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe konsideruan që ky donacion është një pasqyrë e angazhimit të EULEX-it për të mbështetur Shërbimin Korrektues të Kosovës në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.