Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që jetojnë në Kosovë, të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të parakohshme që mbahen të dielën, më 25 tetor.
Përmes një mesazhi, ajo ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën demokratike të votës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Shiroka Pula ka vënë në pah rëndësinë e bashkimit politik, duke theksuar se përfaqësimi i fuqishëm në Parlamentin e Serbisë është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe interesave të shqiptarëve.
“Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë”, ka deklaruar ajo.
Presidentja ka theksuar gjithashtu se çdo votë ka rëndësi dhe se pjesëmarrja në zgjedhje është një kontribut i drejtpërdrejtë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Të bashkuar në përfaqësim, më të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave tuaja!”, ka përfunduar mesazhin e saj Shiroka Pula.

