
Shembja e dheut në Veternik që la të vdekur një person, policia arreston një të dyshuar
Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunën në lagjen Veternik të Prishtinës, ku nga shembja e dheut në një punishte një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar.
Personi që ka pësuar lëndime është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00.
Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit kanë reaguar shpejt dhe kanë arritur të sigurojnë zonën dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme.
Drejtori i Shërbimit të Zjarrfikësve të Prishtinës, Abdusamed Shkodra, tha se ndërhyrja ka qenë e shpejtë, megjithatë nuk ka mundur të parandalohet tragjedia.
Ndërkaq në raportin 24 orësh, policia ka theksuar se është arrestuar një person dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.
“Është raportuar se gjatë punimeve te një objekt në ndërtim është shembur dheu dhe i ka nxënë dy persona meshkuj kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe urgjenca të cilët kanë arritur që t’i nxjerrin personat nga gropa ku ju është ofruar tretman mjekësor, mirëpo njëri nga personat nuk ka arritur që tu mbijetojë plagëve dhe nga stafi mjekësor është konstatuar vdekja e tij, ndërsa personi tjetër është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshme. Lidhur me rastin është arrestuar një mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë, raporton Telegrafi.