
Shefi i NATO-s nis takimet në Kosovë, pritet nga Osmani
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka nisur takimet në Kosovë me krerët e lartë shtetërorë.
Ai fillimisht është mirëpritur nga presidentja Vjosa Osmani, dhe më vonë gjatë ditës do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Rutte ka thënë në një intervistë për Al Jazeera Balkans një ditë më parë se, Kosova është shtet shumë me rëndësi dhe që NATO-ja ka prezencë të konsiderueshme përmes KFOR-it.
“Ka pasur zgjedhje, do të shohim se si do të formohet Qeveria e re, por kjo është pjesë e procesit demokratik. Nuk ka gjë të keqe”, ka thënë Rutte, duke shtuar se aleanca bën përpjekje të vazhdueshme që ky shtet të jetë në formën e vet më të mirë.
Shefi i NATO-s ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.