Shefi i EULEX-it: Situata në veri mund të përkeqësohet
Çështja e sigurisë në veriun e Kosovës po përmendet gjithmonë e më shpesh pas sulmit të armatosur në Banjskë, dhe mes paralajmërimeve të autoriteteve në Prishtinë për përsëritje të skenarit të dhunës.
Prania e ndërkombëtarëve atje, KFOR-it dhe EULEX-it, është garancia që zbut frikën, edhe pse shqetësimet mbeten.
Shefi i misionit të BE-së për siguri dhe mbrojtje, Giovanni Pietro Barbano, tha se situata aktuale në veri të Kosovës dhe në përgjithësi në Kosovë është e qetë, “por ende e brishtë”.
“Fatkeqësisht, ne kemi parë që kjo situatë mund të përkeqësohet shumë lehtë siç ndodhi fatkeqësisht gjate muajit shtator, me sulmin e rëndë në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku”, tha ai në një intervistë për A2cnn.
Duke folur për rastin e Banjskës, ai tha se EULEX-i nuk ka mandat të kryejë hetime që nga viti 2018.
“Mandati i EULEX-it nuk përfshin, nuk parasheh asnjë mandat ekzekutiv. Pra, përgjegjësinë e plotë për kryerjen e hetimeve e kanë vetëm institucionet e Kosovës. EULEX-i po monitoron që hetimet e kryera nga Policia e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës të kryhen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane në kryerjen e këtij monitorimi. EULEX-i gjithashtu garanton që të drejtat e njeriut të respektohen plotësisht përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë, duke përfshirë aktivitetet e kryera nga policia, por edhe në aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët dhe në rast të paraburgimit nga sistemi korrektues në Kosovës”, u shpreh Barbano.
Ai tha se misioni të cilin ai e drejton ka qenë i pranishëm në Banjskë gjatë sulmit, por edhe për të monitoruar hetimet për rastin.
“Aktivitetet tona monitoruese shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë. Pra, që nga aktivitetet e kryera nga policia e Kosovës në terren e deri te aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe sistemi korrektues, përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ne jo vetëm monitorojmë por edhe këshillojmë në fusha të ndryshme; mbështesim gjithashtu zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve përkatëse. Ne ishim të pranishëm në Banjskë gjatë sulmit. Ishim shumë afër zonës së manastirit dhe monitoruam aktivitetet e policisë së Kosovës. Menaxhuam hetimet për pelegrinët, shoqëruam ata që ishin të pranishëm në manastir dhe i përcollëm në pikat e përbashkëta të kalimit asi përfunduan të gjitha operacionet”, deklaroi ai.
Tutje, shefi i EULEX-it tha se si mision, kanë kontakte me Ministrinë e Brendshme të Serbisë dhe thotë se kanë lehtësuar disa kërkesa për informacion nga Policia e Kosovës.
“Jemi në pritje të përgjigjeve”, u shpreh Barbano.
Sipas tij, dorëheqja e serbëve në nëntor 2022 nga institucionet e Kosovës ka pasur ndikim dhe ka provokuar një vakum në institucionet e sundimit të ligjit në veri.