SHBA-të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një shteti të pavarur palestinez
Shtetet e Bashkuara po ndjekin një politikë aktive lidhur me krijimin e një shteti të pavarur palestinez që ofron garanci sigurie për Izraelin dhe po bashkëpunojnë me partnerët në rajon lidhur me të gjitha alternativat, tha të mërkurën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Matthew Miller nuk pranoi të jepte detaje mbi punën e brendshme që po zhvillonte departamenti për këtë çështje, por tha në një konferencë shtypi se përpjekja ka qenë objektiv i administratës së Presidentit Joe Biden.
“Po përpiqemi në mënyrë aktive për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, me garanci reale sigurie për Izraelin, sepse ne besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të sjellë paqe dhe siguri të qëndrueshme për Izraelin, për palestinezët dhe për rajonin”, tha zëdhënësi Miller.
“Ka një numër mënyrash për ta arritur këtë, një sërë hapash që mund të kryhen për ta përmbushur këtë objektiv. Kemi një gamë të gjerë alternativash të cilat po i diskutojmë me partnerët tanë në rajon si dhe me partnerët e tjerë brenda qeverisë amerikane”, tha zëdhënësi Miller.
Portali Axios njoftoi herët të mërkurën se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i ka kërkuar Departamentit të Shtetit që të zhvillojë një analizë dhe të ofrojë alternativa lidhur me politikat mbi një njohje të mundshme amerikane dhe ndërkombëtare të një shteti palestinez pas luftës në Gazë.
Shefi i diplomacisë britanike, David Cameron, i tha një grupi ligjvënësish të Mbretërisë së Bashkuar se Londra, aleatët e saj dhe Kombet e Bashkuara “do ta shqyrtojnë çështjen e njohjes së një shteti palestinez”, njoftoi rrjeti BBC të martën.
Uashingtoni e ka lidhur krijimin e një shteti palestinez me përpjekjet që Arabia Saudite t’i normalizojë marrëdhëniet me Izraelin. Përpjekjet kanë marrë një shtysë edhe më të madhe pas sulmit të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit, ku i vranë 1200 njerëz dhe u morën peng më shumë se 250 të tjerë.