ShBA: ‘Ndarja’ nënkupton fund për Republikën Sërpska
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë ka thënë të premten se propozimi i Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina, është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.
Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.
Qeveria e RS-së e bëri këtë propozim gjatë një mbledhjeje të mbajtur në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku u miratua rezoluta që e shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Ambasada amerikane tha se ky propozim është në mospërputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.
“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatë.
Ajo e akuzoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska dhe Qeverinë e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Sërpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.
“Faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nuk ka konspiracion ndërkombëtar për ta ndarë RS-në dhe Dodiku nuk mund ta gjejë asnjë deklaratë ku një zyrtar amerikan bën thirrje për shuarjen e RS-së”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Ajo e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.
“Kushtetua e BeH-së nuk u jep të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo ‘shkëputje’. RS-ja mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnje e Hercegovinës”.
Veprimet e Dodikut, sipas Ambasadës, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që e do populli i Bosnjës, përfshirë RS-në.
Kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, tha pas mbledhjes se “kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ne do ta ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, e që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”.
Dodik mori pjesë në mbledhje, gjithashtu.
Nedim Ademoviq, ekspert i së drejtës kushtetuese, tha për Radion Evropa e Lirë se asnjë entitet i vetëm, asnjë komb i vetëm nuk mund të kryejë shpërbërjen paqësore në Bosnje e Hercegovinë.
“As entitetet dhe as popujt nuk kanë asnjë të drejtë në atë kuptim, as të drejtën e vetëvendosjes. Ky është një qëndrim i qartë dhe vendimtar. E vetmja që mund ta bëjë këtë është Bosnje dhe Hercegovina, pra Asambleja Parlamentare e BeH-së. Në kuadër të procedurës kushtetuese, organi më i lartë legjislativ dhe ligjor i BeH-së mund të ndryshojë Kushtetutën e BeH-së. Kur të ndryshohet Kushtetuta, mund të ndryshohet struktura e brendshme”, tha Ademoviq.
Ai shtoi se vendimi i Qeverisë së RS-së ishte “absolutisht jokushtetues” dhe se “të gjithë në Bosnje dhe Hercegovinë e dinë këtë, veçanërisht Milorad Dodiku”.
“Kjo nuk është hera e parë që Federatës së Bosnjë e Hercegovinës i ofrohet një marrëveshje për ndarje paqësore, e cila më pas, ashtu si edhe në të ardhmen, do të dështojë dhe nuk do të ketë asgjë. Prandaj, është thjesht spekulim i pastër, spekulim, dhe nuk ka asgjë serioze”, theksoi Ademoviq./REL