
ShBA-ja tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare, që administrata i konsideroi si “joefektive dhe të dëmshme”.
Ne mesin e tyre janë Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women, e Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Në këtë të fundit, Kosova bën pjesë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kjo organizatë synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore dhe synon afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.
Në Komisionin e Venecias – që është trup këshillues për çështje kushtetuese dhe jep rekomandime për parlamentet dhe qeveritë – ShBA-ja ishte vëzhguese e jo anëtare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se këto organizata janë “antiamerikane ose të padobishme”.
Po ashtu, ShBA-ja është tërhequr nga disa organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara përfshirë nga Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Sociale, Qendra Botërore e Tregtisë, Komisioni i Ligjit Ndërkombëtar, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijë në Konflikte të Armatosura, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Dhunën Seksuale në Konflikt, Fondi i OKB-së për Demokraci dhe një sërë organizatash dhe traktatesh ndërkombëtare, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Nuk do të vazhdojmë të shpenzojmë burime, kapital diplomatik dhe peshën legjitimues të pjesëmarrjes sonë në institucione që janë të parëndësishme për interesat tona ose bien ndesh me to. Ne e refuzojmë inercinë dhe ideologjinë në favor të maturisë dhe qëllimit. Ne kërkojmë bashkëpunim aty ku ai u shërben njerëzve tanë dhe do të qëndrojmë të palëkundur aty ku nuk ndodh”, u tha në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Sekretari Rubio shtoi se me këtë tërheqje po materializohet premtimi kyç i presidentit Trump se do të “ndalojë subvencionimin e burokratëve globalistë që veprojnë kundër interesave tona. Administrata Trump do ta vendosë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë”.
ShBA-ja tha se po vazhdon rishikimi i organizatave të tjera ndërkombëtare.
