SHBA-ja me paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara më 24 maj njoftuan për një paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në të cilën përfshihen municione, raketa, mina dhe municione të artilerisë.
Paketa e re e ndihmës nga Uashingtoni vjen në kohën kur Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022 – po kryen një ofensivë në rajonin e Harkivit.
Ukraina po përballet me luftime të ashpra në Harkiv që nga 10 maji, kur mijëra trupa ruse nisën ofensivën, duke bërë avancimet më të mëdha në 18 muaj.
“SHBA-ja njofton sot për një paketë të re me armë dhe pajisje për Ukrainën për të mbështetur popullin ukrainas, teksa ata mbrojnë shtetin e tyre”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Kjo paketë, në vlerë prej 275 milionë dollarësh, është pjesë e përpjekjes sonë për të ndihmuar Ukrainën që të zmbrapsë sulmin e Rusisë afër Harkivit. Paketa përmban aftësitë urgjente” që i duhen Ukrainës, tha kryediplomati amerikan.