SHBA-ja do t’i ndëshkojë bankat që ndihmojnë Rusinë në shmangie të sanksioneve

SHBA-ja do t’i ndëshkojë bankat që ndihmojnë Rusinë në shmangie të sanksioneve

Presidenti amerikan, Joe Biden e ka nënshkruar më 22 dhjetor një urdhër ekzekutiv që i hap rrugën Uashingtonit për të vendosur sanksione në institucionet financiare që i ndihmojnë Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve të vendosura ndaj saj, për shkak të luftës në Ukrainë.

Urdhri i ri ekzekutiv e bën të qartë që disa banka dhe institucione financiare përballen me sanksione të rënda nëse nuk u japin fund transaksioneve të njerëzve dhe subjekteve që janë në listën e sanksioneve amerikane, sidomos ata që janë të lidhur me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

“Ne po dërgojmë mesazh të pagabueshëm: secili që mbështet luftën e Rusisë, është në rrezik të humbjes së qasjes në sistemin financiar amerikan”, ka thënë Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, përmes një deklarate.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë përmes një deklarate se urdhri u mundëson Shteteve të Bashkuara të shënjestrojnë edhe institucione jashtë Rusisë, të cilat lehtësojnë transaksionet në emër të sektorit rus të mbrojtjes.

“Urdhri i ri u jep Shteteve të Bashkuara autoritet për të ndaluar importin në Shtetet e Bashkuara të disa mallrave të prodhuara në Rusi, qoftë edhe nëse janë dërguar fillimisht në një shtet të tretë”, ka thënë Blinken.

Urdhri vë theksin te nevoja që institucionet financiare në gjithë botën “të sigurohen se nuk janë të përfshira në aktivitete që ndihmojnë Rusinë dhe të jenë më vigjilente për të parandaluar mundësinë që të shfrytëzohen prej rrejtit të prokurimit të Rusisë”, ka thënë ai.

Urdhri i ri ekzekutiv është pjesë e fushatës amerikane për t’i shtypur përpjekjet për ikje nga sanksionet.

Muajve të fundit, Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe entiteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqi, Hong Kong dhe Kinë, duke i akuzuar për ndihmë ndaj Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.