“Serbia po bën përpjekje ta vrasë Pakon e Ahtisaarit, veprimet e Kurtit në këtë linjë”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Serbia po bën përpjekje ta vrasë Pakon e Ahtisaarit dhe sipas tij, veprimet e kryeministrit Albin Kurti përkojnë me këtë linjë.
Në një intervistë në “Konfront” të KTV-së, Hoxhaj ka thënë se është hera e parë në histori të dialogut që NATO-ja e konsideron Kosovën si problem të sigurisë – pas takimit të sotëm të ndihmëssekretarit të NATO-s me kryenegociatorët në Bruksel.
“Nëse e kam parasysh çka ka ndodh sot në Bruksel, kjo tregon shumë për atë që po ndodh në Kosovë. Lajmi i parë është që në takim ka marrë pjesë edhe ndihmëssekretari i NATO-s, ku i është thënë palëve se ura nuk mund të hapet pa dialog. Asnjëherë në histori të dialogut nuk ka ndodhur që një përfaqësues i NATO-s të shkojë në zyrat e BE-së dhe ta shtrojë temën e Urës së Ibrit, veriut, pra ta trajton Kosovën si problem i sigurisë. Kjo është prej parametrave më të dëmshëm në Republikën e Kosovës. Serbia ka kërkuar të zgjerohet territori i Mitrovicës së Veriut për t’u hapur ura, nëse këto dy gjëra do të vendoseshin në kontekst do të thotë kështu: Serbia po bën përpjekje ta vrasë Pakon e Ahtisaarit dhe veprimet e Kurtit përkojnë me politikën që të përmbyset Pakoja e Ahtisaarit. Qytetarëve mund t’iu duken mirë disa hapa që ka bërë Kurti me postat, me dinarin, me tabelat, reciprocitetin, postat… por dialogu është në koma, në prag të vdekjes dhe Kurti bën përpjekje ta ndjekë një politikë duke krijuar fakte në terren në shërbim të idesë të zgjerimit të sovranitetit të Kosovës, ta ruan integritetin territorial dhe paralelisht Serbia bën përpjekje ta godet Kosovën ndërkombëtarisht”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka theksuar se Serbia nesër pritet të nënshkruajë marrëveshjeve energjetike me SHBA-në.
“Para dy-tre javësh Serbia nënshkroi marrëveshje për partneritet ushtarak dhe ekonomik me Francën, me BE-në nënshkroi për të pasur qasje në litium. Nëse dikujt i duket që politika e fakteve në veri është duke mbushur idenë e një shteti sa më sovran, Serbia është duke hequr shtyllat e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Përtej fitimit simbolik, ne po humbim në rrafsh strategjik sa s’mund të paramendohet nga ata që i shikojnë lajmet”, ka shtuar deputeti i PDK-së.