Serbia ndaloi një ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës, thotë avokati Koci

Serbia ndaloi një ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës, thotë avokati Koci

Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO) të Policisë së Kosovës, është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë, ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci.

Përmes një postimi në Facebook, Koci ka thënë se ndonëse Spahiu ka tre vjet që nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin Banjska – që ka të bëjë me sulmin e një grupi të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës në këtë fshat të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Postimi i Kocit në Facebook:

Qytetarët e Kosovës po ndalohen dhe po arrestohen në Serbi.

Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO), është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.

Edhe pse ka tri vite që nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.

Përsëris: nuk ka qenë duke punuar në polici në atë kohë.

Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar.

———

Vetëm pak ditë më parë, një ish-polic tjetër – Aleksandar Vlajiq – e ka pranuar fajësinë se ka punuar për shërbimin sekret serb (BIA) dhe është dënuar për spiunazh. Me këtë është vërtetuar se BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë.

Ndalimi i Arbnorit po duket si reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi. Një përpjekje për të frikësuar, për të ndëshkuar dhe për të krijuar pasiguri – sidomos për ata që dikur kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës.

Ky është një sinjal i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe.

E dini që pak ditë më parë, është ndaluar edhe një ish-deputet.

Pas disa orë marrjesh në pyetje, është liruar.

———

Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton.

Kërkoj reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse.

Sepse heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera.
Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë.

Nuk e lë vetëm askend – me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin profesional që e kam.
Kultura shtetërore, patriotizmi fillon pikërisht aty – te mbrojtja e njerëzve/shtetasve të vet.

Të gjithë për një, një për të gjithë – duhet të jetë motoja e jonë, pa paragjykuar asgjë!