Serbia dënon Nezir Mehmetajn me 6 vjet burgim
Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga Gjykata e Lartë e Serbisë me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999.
Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb mund të apelohet.
Gjykata e Lartë e Serbisë tha se ka konstatuar se Mehmetaj në qershor të vitit 1999 kishte marrë pjesë në rrëmbimin e civilit me kombësi rome, Jelaj Ramadan, mbetjet mortore të të cilit ende nuk janë gjetur.
Sipas pretendimeve të gjykatës, bashkë me Mehmetajn kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në vendimin e gjykatës u tha po ashtu se Mehmetaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe në atë kohë lëvizte në fshatin Rudicë me uniformë të UÇK-së.
Në aktakuzën ndaj Mehmetajt thuhej se në mes të qershorit të vitit 1999, ai kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Dashiq dhe në fund të qershorit, kishte marrë pjesë në vrasjen e Jelaj Ramadanit dhe Zorka Shijakoviqit.
Gjykata e Lartë e Beogradit tha se nuk është dëshmuar pjesëmarrja e tij në vrasjen e anëtarëve të familjes Dashiq dhe Zorka Shijakoviqit, si dhe nuk është dëshmuar që Mehmetaj, në korrik të vitit 1999, kishte marrë pjesë në plaçkitjen dhe djegien e dhjetë shtëpive në fshat që i përkisnin joshqiptarëve.
Nezir Mehmetaj u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.
Po atë vit, autoritetet gjyqësore serbe ngritën aktakuzë ndaj tij për krime lufte në Rudicë të Komunës së Klinës në periudhën qershor-korrik 1999.
Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe të disa qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.