Scholz i kërkon Serbisë ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

Scholz i kërkon Serbisë ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka kërkuar Serbisë që ta zbatojë Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Gjatë një telefonate të zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas njoftimit të Berlinit, Scholz ka theksuar rëndësinë e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Gjermania ka riafirmuar mbështetjen e tij për këtë proces. Ai [Scholz] ka qartësuar obligimet e Serbisë për zbatimin Marrëveshjes së Ohrit”, u tha në njoftim.

Këtë marrëveshje, së bashku me Aneksin për zbatimin e saj, Kosova dhe Serbia e kanë arritur vitin e kaluar. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por ndërmjetësi ka thënë se ajo është ligjërisht e obligueshme për palët.