SBAShK-u: Urgjentisht të zgjidhet çështja e pagave për punëtorët e arsimit në Viti
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), ka bërë thirrje që urgjentisht të zgjidhet çështja e pagave për punëtorët e arsimit në Viti.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se me anëtarë të stafit qendror do të shkojnë në Viti dhe do të takohet me anëtarët e Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për këtë komunë, për të folur rreth situatës së krijuar e për të marrë vendime për veprime konkrete.
“SBAShK-u iu gëzua lajmit se u krijua mundësia për procedimin e pagave të punëtorëve të arsimit, por informacionet flasin se kjo gjë nuk ndodhi edhe për punëtorët e arsimit në komunën e Vitisë, të cilët padrejtësisht ende kanë mbetur pa pagën e muajit shtator. SBAShK-u pa dashur të ndalet e të emëroj fajtorin i drejtohet Ministrisë së Financave dhe institucioneve qendore e lokale që ta bashkëbisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje të duhur në mënyrë që punëtorët e arsimit në Viti të marrin që sot pagat e shtatorit. Nëse kjo nuk ndodh atëherë SBAShK-u në nivelin qendror vazhdon të mbajë komunikim me kryetarin e nivelit komunal sindikal për Vitinë, Kemajl Bislimi dhe me udhëheqës sindikal në këtë komunë dhe do të mbështes çdo angazhim të tyre dhe do t’u qëndrojë pranë e do të solidarizohet me ta edhe nëse ata fillojmë me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën”, është thënë në njoftimin e SBAShK-ut.