SBAShK-u nuk e përjashton grevën nëse nuk i plotësohen kërkesat
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) do të mbajë të mërkurën protestë para Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për medie, tha se nëse qeveria dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk reflektojnë mbi kërkesat e tyre, do të hyjnë në grevë të përgjithshme.
Ai ka dhënë hollësi rreth kësaj proteste. “Qasja e tyre dhe injorimi i tyre i vazhdueshëm solli vendimin për veprime sindikale. Fillimisht u vendos që më 4 dhjetor të bëhet protestë dhe presim që në protestën para MAShTI-t dhe qeverisë të jenë mbi 1500 pjesëmarrës. Nëse qeveria, sidomos ministrja Nagavci nuk reflektojnë, do ta analizojmë situatën dhe do të marrim vendime, pa përjashtuar grevën e përgjithshme”, tha Jasharaj, raporton Ekonomia Online.
Jasharaj e ka akuzuar Kurtin dhe ministrat e tij se e kanë paralizuar dialogun e mirëfilltë me sindikatat.
“Kurti dhe ministrat e tij premtuan shumë, deklaruan se do ta respektojnë zërin sindikal dhe fuqizimin e sindikatave, por kanë bërë të kundërtën. Gjatë këtyre viteve paralizuan dialogun e mirëfilltë, duke mos e nënshkruar Marrëveshjen Kolektive, duke ua mohuar të punësuarve në sektorin publik dhe privat mundësinë për t’i ruajtur të drejtat në punë dhe për të arritur disa benefite si të gjithë kolegët e tyre kudo në vendet e Ballkanit e të Evropës”, ka thënë Jasharaj.
Kreu i SBAShK-ut tha se ministri Murati do të kujtohet si njeriu që deshi t’ua ndalë bukën e gojës pse kërkuan mundësinë për një kafshatë bukë më shumë.
“Në betejën e vazhdueshme të qeverisë me SBAShK-un mori pjesë aktive edhe ministrja Nagavci. Ajo u mbush me inat pse SBAShK-u është kaq unik, prandaj u angazhua për ta dobësuar SBAShK-un, por kurrë nuk ia arriti”, tha ai.