Sarrazin: Nevojiten kompromise të vështira nga Kosova dhe Serbia drejt BE-së

Sarrazin: Nevojiten kompromise të vështira nga Kosova dhe Serbia drejt BE-së

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha të enjten në Prishtinë se vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosova dhe Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe koncesione jo të lehta në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Sarrazin tha se e vizitoi Kosovën të enjten dhe do t’i vizitojë vendet e tjera të rajonit për arritjen e rezultateve “konkrete” për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe se për këtë nevojiten kompromise në prag të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 14 tetor në Gjermani.

“Por për këtë kemi nevojë për kompromise dhe nganjëherë madje edhe gatishmëri për koncesione për t’u pajtuar për çështje politike të cilat nuk janë lehta as për Serbinë e as për Kosovën. Ende nuk kemi arritur ku duhet”, tha Sarrazin për gazetarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Kosova dhe Serbia kanë shumë mospajtime dhe dialogu mes tyre për normalizimin e marrëdhënieve, i nisur qysh më 2011, ka ngecur në kohët e fundit dhe palët në vazhdimësi fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese apo për dështim të dialogut, ndërkaq BE-ja thotë se ka mungesë të vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve.

Sarrazin theksoi se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit, gjatë një takimi në Prishtinë, dhe se do të bisedojë edhe liderët e pesë vendeve të tjera të rajonit gjatë javës së ardhshme për bashkëpunimin rajonal.

“U kërkoj të gjithëve të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shprehur gatishmëri për kompromise në mënyrë që të arrihen rezultate për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, parasë dhe tregtisë në rajon për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ai.