Rusja Valieva pezullohet nga patinazhi për doping, e humb medaljen e artë olimpike
Kamila Valieva, artistja ruse e patinazhit, është pezulluar për katër vjet nga ky sport të hënën, pasi është shpallur fajtor për përdorim të dopingut, duke e humbur edhe medaljen e artë ekipore që e kishte fituar në Lojërat Olimpike Dimërore, Pekini 2022.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) tha se Valieva e ka shkelur një rregull anti-doping, dhe si pasojë, medalja e artë olimpike do t’i merret ekipit rus dhe do t’i dorëzohet ekipit amerikan.
“Është vërtetuar se Kamila Valieva e ka shkelur një rregull anti-doping dhe kështu pezullohet për një periudhë prej katër vjetëve, duke nisur nga 25 dhjetori 2021”, tha CAS-i në një komunikatë.
Gjykata shtoi se të gjitha rezultatet në gara që i ka arritur ajo prej asaj kohe, do të shfuqizohen, bashkë me medaljen e artë të ekipit rus nga Pekini 2022.
Agjencia Botërore Anti-doping (WADA), e cila ishte njëra nga palët që e solli rastin në CAS, e ka mirëpritur vendimin, duke e përshkruar atë si triumf për sportin e drejtë.
“WADA e bëri këtë ankesë në CAS në interes të drejtësisë për të gjithë atletët dhe për pastërti në sport, dhe ne besojmë se kjo është arritur përmes këtij vendimi”, tha ajo në një komunikatë.
Valieva doli pozitive në testin për substancën e ndaluar trimetazidine, e cila e parandalon angjinë, gjatë kampionatit kombëtar rus në dhjetor 2021.
Ekipi i saj ka thënë se testi pozitiv mund të ketë ardhur nga përzierja e barnave të zemrës së gjyshit të saj.
Rezultati i testit të saj pozitiv për doping u bë publik vetëm një ditë pasi ajo e ndihmoi ekipin rus ta fitojë medaljen e artë ekipore në Pekin në shkurt të vitit 2022.
Gjatë lojërave në Pekin, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar pati vendosur të mos ia prezantonte medaljen ekipit të patinazhit derisa rasti i Valievas të zgjidhej.
Ekipi i Shteteve të Bashkuara e fitoi medaljen e argjendtë pasi përfundoi pas Rusisë, ndërsa Japonia e fitoi të bronztën dhe Kanadaja doli e katërta.
Ekipi amerikan i patinazhit është shprehur i zemëruar vazhdimisht për shkak të vonesave për t’i marrë medaljet e tyre.