Rrjeti që infektoi Kosovën me monedha false
Dukuria e monedhave false që ka pushtuar Kosovën tash e më shumë se një vit është shndërruar në një problem të përditshëm.
Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, por përdor euron si valutë për shitblerje.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në maj të këtij viti njoftoi se gjatë vitit 2023 mbi dy milionë euro të monedhave false prej 2 euro janë tërhequr nga qarkullimi.
“Janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2,5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro”, njoftoi BQK-ja.
“Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54.000 copë monedha të denominimeve prej 2 euro, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara”, thuhej në komunikatën e BQK-së.
Mirëpo, trendi i përdorimit të këtyre parave akoma vazhdon.
Çështja e monedhave false arriti deri në atë shkallë sa që shumica e qytetarëve, por edhe bizneseve e shmangin monedhën prej 1 dhe 2 euro për pagesa.
Rrjeti i organizuar i prodhimit të parave false
Mes disa aksioneve të zhvilluara, policia e Kosovës më 5 gusht njoftoi se ka finalizuar një hetim të përbashkët në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut dhe me ndihmën e Europolit për të parandaluar falsikifimin e monedhave.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (PK/DHKEK), gjatë viteve 2023-2024 kanë ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara, përkatësisht të parave në valutën euro, pasi që ishin hasur disa raste të vënies në qarkullim të parave të falsifikuara, të cilat kishin çrregulluar tregun e parave si dhe kishin dëmtuar interesin publik”, thuhet në njoftim.
Për hetimin ndërkombëtar, thuhet se ishte krijuar ekip i përbashkët i dyja shteteve, me ç’rast një pjesëtar i policisë së Maqedonisë së Veriut i dyshuar për lidhshmëri me rrjetin monedhave false u arrestua në Kosovë.
Gjatë kontrolleve në tri lokacione të ndryshme u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara dhe shabllone parash.
Me Kodin Penal të Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdor ose posedon para të falsifikuara, me qëllim që t’i vendosë në qarkullim si të vërteta, dënohet prej 1 deri në dhjetë vjet burgim.