Rritet numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

Rritet numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

Në motin e keq dhe rrugët e dëmtuara, ekipet e shpëtimit në Japoni kërkuan të premten edhe 222 persona që janë ende të zhdukur, katër ditë pasi një tërmet shkatërrues e goditi vendin. Numri i të vdekurve është afër 100.

Dy gra të moshuara u nxorën nga rrënojat të enjten por shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë pas tërmetit 7.5 ballësh, që ndodhi në ditën e Vitit të Ri, po shuheshin me shiun, borën dhe uljen e temperaturave që parashikohen në ditët në vijim, raporton Rel.

Mijëra shpëtimtarë nga e gjithë Japonia po luftojnë me pasojat e goditjeve dhe rrugët e mbushura me gropa të hapura, e të bllokuara nga rrëshqitjet e shpeshta të dheut në rajonin qendror Ishikaua, për të arritur qindra njerëz në vendet bllokuara.

Të enjten pasdite, 72 orë pas tërmetit, dy gratë e moshuara u nxorën mrekullisht të gjalla nga rrënojat e shtëpive të tyre në Uajima, njëra prej tyre falë një qeni nuhatës.

Qyteti port i Uajimas në Gadishullin Noto ishte një prej vendeve më të goditura.

“Unë isha duke pushuar ditën e Vitit të Ri kur ndodhi tërmeti. Të afërmit e mi ishin të gjithë atje dhe ne po argëtoheshim”, i tha AFP-së Hiroyuki Hamatani, 53 vjeç, mes makinave të djegura dhe ndërtesave të shkatërruara.

“Shtëpia në vetvete është në këmbë, por është larg të qenit të banueshme tani…Unë nuk mund të mendoj tani për të ardhmen”, tha ai.

Autoritetet thanë të enjten pasdite se 222 persona janë ende të pagjetur, nga një numër i mëparshëm prej 242, duke përfshirë 121 njerëz në Uajima dhe 82 në Suzu.

Numri i të vdekurve u rrit nga 92 në 94, me 464 persona të plagosur. Një prej personave të vdekur është edhe një djalë i shkollës së mesme që ishte për vizitë te familja e tij, thanë raportet.

Rreth 30.000 familje ishin pa energji elektrike në rajonin Ishikaua, dhe 89.800 shtëpi atje, përfshirë edhe ato në dy rajone fqinje, nuk kishin ujë.

Qindra njerëz ishin në strehimoret e qeverisë.